
Shqipëria luan sfidën e fundit për vitin 2018 në ditën e martë, në stadiumin “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë do të përballen me Uellsin në një miqësore, teksa të dyja Kombëtaret e shohin si një ndeshje eksperimentale nga trajnerët respektiv. Interesi për këtë sfidë si në kampin kuqezi ashtu edhe nga Uellsi, duket disi e vakët, pasi të dyja këto Kombëtare vijnë nga një humbje në “Ligën e Kombeve”, respektivisht kundër Skocisë dhe Danimarkës.
Ndryshe nga natyra e kësaj përballje, për lojtarin uellsian, Chris Gunter , kjo do të jetë një ndeshje tepër e veçantë, pasi pritet që lojtari të arrijë në shifrën e 93 paraqitjeve me fanellën e Uellsit. Kujtojmë që në ndeshjen e fundit që pati skuadra e Uellsit kundër Danimarkës, Gunter barazoi rekordin e ish portierit legjendar, Neville Southall.
Ajo çka bie në sy është se Chris i kërkon shokut të tij të skuadrës, Gareth Bale, që t’i linte në dispozicion avionin e tij privat. Kjo gjë pasi Gunter dëshiron me të, që të transportojë familjarët e tij nga Uellsi në Shqipëri, për arsye se kërkon që të jenë pranë tij në këtë rekord që pritet të vendosë me Kombëtaren e Uellsit.
“Do t’i kërkojë Garet Bale nëse mund të ma lërë avionin e tij për ta përdorur për disa familjarë që të munden të udhëtojnë në Shqipëri. Nëse avioni i tij është i lirë, atëherë jam i sigurt që do të më lërë avionin e tij në dispozicion. Nuk do të jetë e lehtë për t’i marrë në Shqipëri familjarët, por unë jam i sigurt se do ta gjejë një mënyrë. Familja ime ka parë çdo ndeshje që unë kam luajtur, si live apo dhe në televizor. Gjithashtu do të ndihesha shumë i lumtur sepse ata do të shohin ndoshta rekordin tim, në një vend që nuk e mendonte askush se do të ndodhte ndonjëherë”, u shpreh Gunter duke iu referuar Shqipërisë./Shqiperia.ch/