
Kevin Broçi është një nga futbollistët shqiptarë premtues që kanë një të ardhme të ndritur. Përveç pjesës së aftësive, mbi të cilat ka nevojë ende për punë, dashuria dhe edukimi që ka marrë ky lojtar për Shqipërinë, e sjellin atë në rrugën e drejtë për të vazhduar kokëulur dhe me shumë modesti karrierën e tij.
Mesfushori 18-vjeçar, pjesë e ekipit “Ahtitos Sparta Athinë”, ka qenë më parë pjesë e Shqipërisë U-17. Megjithatë ai nuk ka marrë një tjetër ftesë nga ana e kuqezinjve, pasi duhet të bëj më shumë hapa përpara në karrierën e tij në aspektin e klubit.
Një gjë e tillë pritet të ndodhë në ditët në vazhdim, ndërsa babai i futbollistit në fjalë, në një prononcim për “Shqiperia.ch” konfirmon kontaktet me Greqinë: “Djali im ka qenë i grumbulluar para dy vitesh me Shqipërinë. Kemi marrë një kontakt nga Greqia, por jam unë i pari që nuk e dua një gjë të tillë. Mezi pres që të vijë një tjetër ftesë nga Kombëtarja, e Kevin të luajë për atdheun e tij”, ka thënë babai i futbollistit në fjalë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/