
Malaga ka barazuar pa gola në transfertën e sotme ndaj Oviedos. Pas shumë kohësh, trajneri Muniz vendosi që të rikthente në ekipin e parë talentin shqiptar, Keidi Bare.
Futbollisti i cili është pjesë e të rinjëve të Malagas, këtë herë ishte i pranishëm me ekipin e parë. Përpara takimit mediat spanjolle shpreheshin të sigurta se shqiptari do të luante nga minuta e parë, por trajneri Muniz ndryshoi gjithçka në minutat e fundit.
Për Baren nuk pati asnjë minutë në fushën e lojës, megjithëse e bëri nxehmjen dhe ishte gati për t’u hedhur në fushë. E teksa Muniz po përgatiste mesfushorin shqiptar, do të ishte Laceni që do të bindte në fushën e lojës duke dhuruar spektakël.
Në kushte të tilla, një ndërrim në atë sektor të fushës ishte i tepërt dhe Keidi duhej të qëndronte në pankinë. Ndërsa Malaga vuan shumë për VAR-in, pasi në minutën e 89 i anullohet një gol padrejtësisht. Sulmuesi Leschuck ndodhej në të njëjtën vijë me mbrojtësit kundërshtar dhe dërgon topin në rrjetë, por gjithçka anullohet për një pozicion jashtë loje, që ishte krejtësisht një vendim i gabuar. Malaga ndodhet në vendin e dytë dhe është një nga favoritet kryesore për t’u ngjitur në elitën e kampionatit spanjoll. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/