Kriza e Koronavirusit ka ndikuar tek të gjitha skuadrat në botë, madje disa prej tyre në elitën e Europës nisën edhe diskutimet e falimentimit. Për këtë arsye ka pasur edhe disa shkurtime në pagesa për lojtarët, që klubet të mos e ndienin shumë humbjen gjatë periudhës anormale.
Arsenali ishte një nga ato ekipe që ka pasur gjuhën e përbashkët më të mirë, teksa futbollistët ranë dakord për të ulur rrogat e tyre me 12% për një vit. Vetëm Mesut Ozili dhe dy lojtarë të tjerë nuk ranë dakort me këtë marrëveshje, ndërsa gjithë pjesa tjetër e pranoi vendimin që të mos ndodhnin shkurtimet në stafin e Arsenalit.
Megjithatë kjo nuk u shmang dot. Klubi i topçinjve ka njoftuar shkarkimin e 55 punonjësve nga detyra e tyre së fundmi, duke shkaktuar një trazirë të madhe. Granit Xhaka është në rreshtin e parë dhe kryeson revoltën e shumë lojtarëve të inatosur, të cilët pranuan uljen e rrogës vetëm që asnjë punëtor të mos prekej nga shkurtimi dhe premtimi nuk është mbajtur. Një gjest i madh i mesfushorit shqiptar që konsideron të rëndësishëm çdo pjesëtar të skuadrës, ndryshe nga vetë drejtuesit, të cilët paratë e kursyera po i mbajnë për qëllime të tjera. /Sport Ekspres/