
Armand Rada do të bënte një jehonë të madhe në mediat sportive shqiptare gjatë kohës që bënte pjesë tek të rinjtë e Interit. Disi më pak aktualisht me transferimin te Renate, por gjithsesi vështrimi nuk duhet hequr nga ky futbollist i talentuar.
Me ekipin e ri, mesfushori 20-vjeçar ka fituar minutat dhe hapësirën në fushën e lojës, ndërsa po jep gjithçka nga vetja për të bërë një kalim më të madh në karrierë. Mundësitë janë të mëdha, pasi ky lojtar e zotëron potencialin dhe këtë e ka treguar shpeshherë me të rinjtë e Interit.
Në një intervistë të veçantë për “Shqiperia.ch”, Rada është rrëfyer rreth përjetimeve të tij, duke prekur edhe çështjen e Kombëtares, me lojtarin që është grumbulluar edhe nga U-21 ynë.
Sa mund të qëndrosh më gjatë pa futboll? Nuk e imagjinoj dot, pjesë e jetës sime.
Një ditë normale e Radës, si programohet? Nis me alarmin në 7:30. Kam si zgjim vëllain tim që duhet të shkojë në shkollë. Kthem në shtëpi për të bërë disa ushtrime të lehta rreth orës 12:30. Pasdite i gjendur në stërvitjen e skuadrës dhe pastaj gjendem pranë familjes. Pra një ditë normale e një djali 20-vjeçar.
Dashuria jote më e madhe, kujt i përkushtohet? Familja vjen e para. Gjithçka është për ta, pastaj vjen futbolli.
Keqardhje për largimin nga Interi? Pak po, por e dija se herët a vonë do të ndodhte.
A të ngacmojnë shpeshherë në Itali që je shqiptar (me shaka)? Ndodh në shumë raste që më thërrasin “O shqiptari”, por e gjitha vetëm si batutë pa kuptim të keq.
Tifoz personal i Interit? Nuk është se mbështes një ekip në mënyrë të flaktë, por e simpatizoj Interin.
Milani të telefonon në këtë moment, për të bërë ofertën e tij. Do e hapje telefonin? Në rregull, unë mendoj se kjo është e sigurtë. (Qesh)
Shqipëria, çfarë do të thotë për ty? E dua shumë vendin tim dhe dua me gjithë zemër Kombëtaren A. Dua të jap shumë për këtë vend që e meriton.
Si e sheh veten në Kombëtare, duke e krahasuar me një lojtar të nivelit të lartë Europian? Luka Modriç.
PES apo FIFA? FIFA më shumë.
Ekipi që zgjedh? PSG.
Ushqimi shqiptar më i preferuar? E thjeshtë, byrek me gjizë.
Çfarë të veçante kanë tifozët shqiptarë?Janë fantastikë sepse e mbështesin skuadrën pavarësisht rezultateve. Bashkohen me ekipin kombëtar dhe u japin krenari lojtarëve. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/