You are here
Home > Kombëtarja > Java që sapo lamë pas në Europë, njihuni me formacionin më të mirë të shqiptarëve

Java që sapo lamë pas në Europë, njihuni me formacionin më të mirë të shqiptarëve

Në sajë të një rubrike të re, të nisur në javën e shkuar, “Shqiperia.ch” do të bëj gjithmonë në ditën e hënë formacionin më të mirë të shqiptarëve në Europë, sa i takon një jave të lënë pas.

Faktikisht, e marrë në vija të përgjithshme, futbollistët shqiptarë kanë vuajtur shumë edhe këtë herë, ndërsa është thuajse e pamundur të formosh një mbrojtje me 4 lojtarë që kanë treguar një rendiment mbi mesatare. Ndërsa sa i përket sulmit, vazhdon të ngelet një engimë më vete emri që na udhëheq.

Berisha- I rikthyer në portë me Atalantën, nuk zhgënjen për asnjë moment. Etrit Berisha i tejkalon pritshmëritë, duke qenë një siguri e vërtetë për ekipin nga Bergamo, ndërsa do të ishin ndërhyrjet e tij, ato që do e mbanin portën e paprekur.

Kololli- “Benjamini” i Shqipërisë vazhdon në nivelet më të larta. Këtë herë futbollisti dardanas ka arritur të shënojë ndaj St Gallenit, duke treguar edhe njëherë potencialin që zotëron. Protagonist për Zurich me golin dhe lojën e tij, megjithëse këto nuk mjaftojnë në fund për ekipin.

Ismajli- Kjo nuk ishte java e mbrojtsave shqiptarë, përkundrazi, të gjithë kanë ngelur në klasë, nuk janë aktivizuar ose e kanë mbyllur takimin përpara kohe. I vetmi që shpëton nga qendra, është Ardian Ismajli. Ky i fundit ka zhvilluar një 90 minutësh të kënaqshëm me Hajdukun e Splitit, ndërsa duke parë edhe emrat e tjerë të Shqipërisë me të cilët është në balotazh, e merr pa mëdyshje vendin në formacion.

Vojvoda- Nuk është në kohën më të mirë të tij, por Vojvoda gjithsesi është një vlerë për Kosovën dhe skuadrën ku ai aktivizohet, Mouscron. Një takim deri diku i mirë i zhvilluar në fundjavë, me Vojvodën që kërkonte herë pas here edhe të merrte krahun e sulmit në aksionet ndërtuese të skuadrës, për të mos u mbyllur vetëm në mbrojtje. Zgjidhet tek më të mirët edhe nga mungesa e konkurrencës, pasi Elseid Hysaj ishte një dështim me Romën.

Uzuni- Djaloshi nga Uznova këtë herë ka qenë i qetë sa i përket golave dhe asistëve të dhënë, por e zë sërish një vend në formacion. Ndryshe nga të tjerët, Uzuni ka gjithmonë një mesatare të formës së tij nga e cila nuk bie kurrë dhe kjo është për t’u përgëzuar. Këtë herë me Lokomotivën e Zagrebit shërben si një motor për skuadrën për të ndërtuar dhe ta mbajtur përpara, megjithëse emri i tij nuk ngel në historikun e ndeshjes. E meriton një vend te më të mirët!

Zeneli- Gjenial! Zeneli nuk e ka një të dytë dhe kjo është qartësisht e kuptueshme. Në Holandë kanë nisur ta quajnë edhe si njeriu asist, për shkak se ka dhënë shumë pasime vendimtare në kampionat.

Xhaka- Qendërmbrojtës ishte herën e fundit, si mbrojtës krahu e ka nisur te Bazeli dhe mesfushor u rikthye. Taulanti i bën të gjitha dhe në mënyrën më të mirë. Një digë e pakalueshmë përpara mbrojtjes!

Lenjani- Ndërrimi i trajnerit të Sioni duket se po jep frytet e saj dhe Lenjani po u rikthehet niveleve më të larta. Një protagonist absolut ndaj kampiones në fuqi, Young Boys, tregon se “asi nën mëngë” i De Biazit, mund të bëhet i tillë dhe për Panuçin.

Celina- Nën drejtimin e trajnerit Potter, për Celinën ka vetëm shkëlqim dhe asnjëherë zhgënjim. Gjithmonë mes më të mirëvë në fundin e takimi, futbollisti shqiptar gjithmonë e tregon klasin që e karakterizon dhe asnjëherë nuk lë një shije të hidhur për tifozët.

Ahmedi- E kishin harruar, por Ahmedi tregoi se për të duhet treguar respekt dhe vëmendje. Ai largim drejt Izraelit të detyronte që emri i Valonit të ishte më pak i përmendur se më parë, por ajo kryevepër e realizuar së fundmi dhe dy asist e dhëna për 90 minuta, tregojnë se vështrimi duhet hedhur edhe drejt tij herë pas here.

Seferi- Ftesa e Panuçit për të duhet të jetë vetëm çështje kohe, në mos i ka mbërritur. Taulant Seferi e ka kthyer çështje e golit si diçka të zakonshme, ndërsa kuqezinjtë e tjerë vuajnë kaq shumë për të. Mënyra e lojës së Taulantit, është ajo që entuziazmon dhe kërkohet me ngulm nga tifozët. Askush si ai!

—————— Sulmuesi? Enigma më e madhe e kësaj Shqipërie. Kemi shumë futbollistë me tipare sulmuese që e njohin rrjetën, por asnjë sulmues të mirfilltë që e bën këtë gjë. Vazhdojmë me apelin? Sulmuesi i Shqipërisë? Sërish mungon… /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top