
Këtë fundjavë janë rikthyer kampionatet europiane respektive pas një mungese prej afro dy javësh për arsye sepse luanin përfaqësueset. Tashmë po ndalemi në kampionatin grek, aty ku skuadra e Panioniosit mori humbjen e rradhës në transfertën përballë ekipit të Lamias, teksa u mposhtën me rezultatin 1 me 0.
Ajo çka donim të veçonim në këtë sfidë është se sulmuesi që luan me Panioniosin, Durmishaj, shkon në numrin e plot katër ndeshjeve pa shënuar me këtë ekip. Që nga periudha që Fiorini ka vendosur të bashkohej me përfaqësuesen e Greqisë, nuk po e njeh më rrugën e rrjetës.
Mesa duket zgjedhja e një Kombëtareje tjetër dhe sidomos Greqisë, është një ters për shqiptarët, pasi harrojnë formën e tyre më të mirë. Kjo gjë i ka ndodhur edhe Durmishajt, ku përpara se të zyrtarizohej si lojtar i Greqisë ishte në top listën e shënuesve të këtij kampionati, ndërsa tani ai është ndalur në kuotën e 11 finalizimeve, Kupë dhe kampionat.
Kujtojmë që çështja e tij bëri bujë jo vetëm në mediat vendase por edhe ato greke pasi pranoi të luante me kombëtaren helene. Më parë ai ishte pjesë e 21 vjeçarëve kuqezinj, ku ishte një potencial i duhur për sulmin e Shqipërisë, por zgjedhja e tij bëri që mos të ndjejë më kurrë emocionet që të jep ajo fanellë, ajo stemë dhe mbi të gjitha kombi ynë. I fryri i mediave, ndonjëherë nuk bën keq edhe autokritika. /Shqiperia.ch/