Ndryshe nga çfarë kishte ndodhur në vitet e fundit, këtë herë Ergys Kaçe mund të buzëqesh lirisht për festat e fundvitit. Gjithçka po ecën mbarë dhe në mënyrën më të mirë në karrierë, madje në të njëjtin vend, ku kaloi jo pak peripeci.
Le të kthehemi disa vite mbrapa, atëherë kur Ergysi sipas mediave sportive, shqiptare dhe greke, ndodhej mes dy Kombëtareve. Përpara Greqisë, Shqipëria sigurisht që nuk diskutohej për mesfushorin tonë të artë. Megjithëse konsiderohej si një nga talentet më të mëdha të Paok, aqsa përflitej edhe kalimi i tij në Serinë A, kjo nuk mjaftonte përpara disa sjelljeve që i përkasin epokës së gurit. Më pas fotografimi me bluzën e UÇK-së, do i vendoste vulën kësaj teme.
Me gjyqin e hapur ndaj shqiptarit, dëmin më të madh Kaçe do e paguante në vitet në vazhdim. Huazime të shumta, njëra pas tjetrës për të kuptuar sesa shumë kishte gabuar sipas grekëve ky lojtar.
Në të njëjtin vend, por me ekipe të ndryshme, futbollisti i Kombëtares u ka treguar të gjithëve sesa kishin gabuar me të. Dy gola dhe dy asistime, duke mos harruar këtu edhe dëmtimet që e kanë lënë jashtë fushës së blertë, kanë mjaftuar që te Panathinaikosi të bien në dashuri me këtë lojtar, e duke harruar faktin se i përket Shqipërisë. Madje, “Newspao.gr” ka hapur një sondazh për të vlerësuar gjetjen më të mirë të vitit 2018, atje ku mesfushori kuqezi jo vetëm që bën pjesë, por lihet pas vetëm nga sulmuesi Macceda aktualisht sipas votimeve.
Bashkëkombasit e tyre do e torturonin vetëm për kombësinë, ndërsa një prej realizimeve dhe pasimeve të Kaçes të kryera deri tani, i përkisnin dukshëm një planeti tjetër, për të kuptuar se çfarë aftësisht zotëron ky lojtar. Prej kohësh pritej shumë nga Ergysi, që ende nuk është vonë për të kapur majën në futbollin europian. Për momentin, ne duhet t’i gëzohemi faktit që kemi një njeri të tillë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/