Xhakomo Vrioni ka qenë fantastik mbrëmjen e sotme. Sulmuesi kuqezi e ka nisur nga stoli, por në fund është kthyer në heroin e skuadrës. I futur në fushë në minutën e 64-t, kur rezultati ishte 2-0 në favor të Carrarese, Vrioni shënon dy gola për Juventus U-23.
Fillimisht në minutën e 75-të, ku me një goditje me të majtën nga një distancë e largët ngushton shifrat në 2-1. Më pas do të vendoste baraspeshën në minutën e 90-të të takimit.
Me këtë paraqitje Xhakomo Vrioni tregon qartë përse Sarri e tërhoqi të stërvitej me yjet e Juventusit, madje i siguroi edhe një vend në listë për disa ndeshje të “zonjës së vjetër”. Rruga në të cilën është nisur është e duhura dhe nëse vazhdon me ritme të tilla, mund ta shohim të debutojë me fanellën e ekipit të parë të gjigantëve të Italisë.