
Esad Morina është një emër shumë i njohur për tifozët shqiptarë, të cilët i kanë ndjekur futbollistët tanë prej kohësh e që nga akademitë e skuadrave më të njohura në Europë. Kështu, Morina ka qenë një emër i spikatur nga akademia e Shalkes, atje ku gjendej edhe me Donis Avdijajn.
Shumë pritej nga sulmuesi shqiptar, që fillimisht zgjodhi t’i bashkohej Gjermanisë. Pasi luajti në disa takime me grupmoshat e tyre, Morina mori vendimin për t’iu bashkangjitur vendlindjes. Tre ndeshje dhe dy gola do të zhvillonte me U-19 tonë, e më vonë do t’i bashkohej edhe me U-21.
Por nuk shkon më tej te Shqipëria, pasi vetë karriera e këtij sulmuesi ka qenë mes aq shumë lëkundjesh. Shumë herë pa ekip dhe më pas duke u aktivizuar në ekipe thuajse amatore në Gjermani, nuk kishte sesi karriera e Morinës të shkonte në rrugën e duhur. Tashmë situata mund të ndryshojë, pasi sipas asaj që mëson “Shqiperia.ch”, futbollisti në fjalë është gati të nënshkruaj me Duisburgun në Gjermani.
Flasim për një skuadër që luan në Bundesligën 2 dhe që gjendet në mesin e renditjes, ndërsa duke marrë parasysh eksperiencat e fundit të Esadit, mund të themi se po i rikthehet niveleve të larta. Pa harruar edhe moshën 21-vjeçare të futbollistit shqiptar, që me shumë punë e përkushtim mund të fitojë edhe gjithë kohën e humbur. /Shqiperia.ch/