
Një deklaratë që do të bënte jo pak bujë në mediat shqiptare sportive, ishte ajo e komentatorit sportiv në RTSH, Konstandin Grillo. Ky i fundit i ftuar në emsionin sportiv në “Ora News”, u shpreh se në Botërorin e Rusisë mbështeste Serbinë.
Kaq mjafton, asnjë arsye më tepër nuk mund të dëgjohet, duke marrë parasysh gjithë historinë e dy vendeve dhe dy popujve. Në këtë moment janë mediat serbe ato që i shkojnë mbrapa kësaj çështje, duke kërkuar të zbardhin të vërtetën.
Me shumë devijime sigurisht, teksa në një intervistë me portierin Željko Kuzmić, që ka luajtur edhe në Shqipëri, historia tregohet sipas dëshirës për “Mozzart Sport”, duke u thënë se kjo deklaratë e Grillos për përkrahjen e Serbisë, u dha në Kosovë.
“Kur luaja në Shqipëri, u takova dhe u bëra mik me komentatorin më të famshëm të sportit, Kostandin Grillo, i cili punoi në televizionin kombëtar. Kur ai ishte mysafir në një televizion kosovar, ata e pyetën për atë ekip që ai brohoriste dhe Kosta tha për Serbinë. Sepse ka shumë miq nga vendi ynë, ndër të tjerët, edhe unë. Pastaj ka pasur probleme”, tha Kuzmic .
E për të vazhduar më tej, do të ishte vetë komentatori sportiv që do të jepte një shpjegim për “Mozzart Sport”, duke treguar edhe për shkarkimin nga puna që ka marrë nga TVSH.
“Unë jam shkarkuar nga kryeredaktori dhe në vendin tim erdhi një burrë, ndër të tjera, me një theks qesharak, pa kualifikime serioze. Unë do të luftoj, mendoj se drejtësia do të vijë në vend dhe se do të kthehem te puna e mëparshme,” tha Grillo. /Shqiperia.ch/