
Një mbrëmje për t’u harruar sa më parë ajo e kombëtares shqiptare në “Loro Boriçi”, teksa mundej me rezultatin e thellë 0-4 nga Skocia.
Më keq nuk mund të shkonte edhe për futbollistin që luan në këtë vend, e më saktësisht me skuadrën e Rangersit, Eros Grezda. Me gjithë përpjekjet e tij në pjesën e parë, fati i takimit nuk mund të ndryshonte, nisur kjo edhe nga dalja e Mavrajt me kartonin e kuq.
Në konferencën e sotme për shtyp, futbollisti i Kombëtares ka bërë të ditur se vetëm bashkimi mund ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë që po kalon, ndërsa lojtarët po japin mendimin e tyre te trajneri, për të ndryshuar situatën.
“E vetmja mënyrë të kalojmë krizën është të jemi bashkë, e të mos përsërisim gabimet e kryera më parë. Sot jemi mbledhur së bashku me trajnerin si zakonisht, duke na folur për gabimet e kryera. Tani duhet të shohim pëpara.
Unë vija nga një problem dëmtimi te Rangersi, por në fushë u ndieva mirë. Ai karton i kuq na e uli ritmin dhe lojtarët nuk kishin më forcë. E vetmja ndeshje që duhet të kemi shembull është ajo me Turqinë. Tani na mungon Roshi dhe Sadiku, nuk është njësoj pa ta.
Të gjithë kemi dhënë mendimin tonë se ku çalon Kombëtarja te trajneri Panuçi, ashtu si edhe unë që e kam dhënë mendimin tim. Isha i nevrikosur dhe nuk është e lehtë të kthehesh në Skoci, pas asaj humbje me rezultatin 0-4. Por duhen parë edhe rrethanat. Tifozët kanë treguar gjithmonë mbështetjen ndaj nesh, megjithëse i kemi zhgënjyer”, u shpreh Grezda. /Shqiperia.ch/