Ergys Kaçe është ai lojtar që në mesin e fushës nuk vihet re shumë në lojën e tij, por po të pyesim kundërshtarët e tij, me siguri që do të na thonë diçka ndryshe. Si me Kombëtaren apo edhe me ekipet ku ka luajtur, Kaçen e kemi parë pak herë me topin në këmbë në mesin e fushës. Kjo për të vetmen arsye sepse mesfushori shqiptar nuk di të hallakatet në fushë, por nis topin në mënyrë të shpejt drejt sulmit.
Një qendrueshmëri të tillë loje e ka vlerësuar edhe media greke “Gazzetta.gr”. Në një pjesë të artikullit, media fqinje shkruan se Ergys Kaçe ka një potencial të madh, e mbi të gjitha atë e ka ruajtur për një kohë të gjatë duke mos pasur asnjëherë oshilacione.
“Kaçe njihet për ritmin e tij të vazhdueshëm dhe lojën e fuqishme. Ai është në një nivel mbi mesataren, do të shënojë shumë dhe do të qëndrojë në kundërshtarin e tij, i cili në rrethanat kur duhet të fitojë menjëherë topin e parë apo të dytë, mesfushori shqiptar do të jetë atje për të penguar kundërshtarin që të organizojë një sulm dhe ta transferojë lojën në gjysmën e fushës së kundërshtarit të Panathinaikos. Ai e di sesi të luajë me topin, ai e bëri atë edhe në ndeshjen e fundit. Padyshim që i shton vlera skuadrës së tij”, shkruhet në median greke.
Ndërkohë të mos harrojmë që sapo Kaçe zgjodhi Shqipërinë, si me magji karriera e tij dhe minutat e aktivizimit në Greqi, morrën një tatëpjetë të frikshme. /Shqiperia.ch/