Besnik Hasi ka treguar emocionet e fitores së madhe të Shqipërisë në vitin 2004 ndaj Greqisë, atëherë kur fqinjët na vinin me kurorën e Europianit të fituar. Në një lidhje për “Fan Zone”, është treguar gjithë përjetimi i asaj ndeshje që nuk do të fshihet kurrë nga kujtesa e të gjithëve ne.
“Nuk kemi për ta harruar kurrë, kur shkuam për te stadiumi pamë rrugët që ishin të mbushura plot. Pastaj u futëm brenda në stadium dhe nuk kishte asnjë vend të lirë, të gjithë ishin me flamurin kuqezi. Sikur po më ngecte diçka në fyt, hera e parë që emocionohesha ashtu. Nuk më kishte ndodhur më parë një gjë e tillë, se e përballoja presionin. Kam përmbajtur lotët. Aty grekët kishin mbaruar pa nisur ndeshja. Koha ishte tjetër, nuk kishte rrjetet sociale dhe nuk e kishim një mbështetje të atij lloj niveli dhe i pamë njerëzit pranë nesh.
Tani FSHF ka bërë hapa shumë të mëdhenj. Mund të them që më vjen keq që nuk e kishim një si De Biazi atëherë, një trajner që të na bënte bashkë. Se kur ishim në gjendje të mundnim kampionin e Europës në një ndeshje, kjo do të thotë atë që mund të realizonim ne. Flamuri i Kosovës? Pyetje me spec, por është një shtet i ri dhe kemi ato ngjyrat e reja, por mos e hiqni nga koka që pas atyre, jemi kuqezi”, tha Hasi.