Milot Rashica është objektivi kryesor i klubeve europiane, për ta marrë nga Bundesliga në merkaton e verës. Futbollisti i Kosovës ka arritur t’i shënojë të gjithë gjigandëve këtë sezon në Gjermani, duke përfshirë këtu edhe Bajernin me Dortmundin.
Në media u përfol edhe për një interesim të Bajernit kundrejt Rashicës, pa harruar këtu edhe për klube si Leipzig apo Kristal Palase, që e duan “raketën” shqiptare në organikën e tyre. Por cila do të jetë e ardhmja? Mediat gjermane i janë rikthyer fjalëve të trajnerit Kohfeld, i cili është shprehur sa i përket kësaj teme: “Askush nuk duhet të telefonojë. Rashica ka kontratë afatgjatë dhe nuk dëshiron të largohet. Presidenti Bauman gjithashtu nuk ka për të shitur lojtarë në verë. Për më tepër edhe menaxheri, Altin Lala, e theksoi se Werderi është klubi i duhur për sulmuesin”, ka thënë Kohfeld si për të mbyllur çdo pistë largimi. /Shqiperia.ch/