
Jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe internetit, e kjo i ka prekur të gjithë njerëzit në postet nga më të ndryshmet. Bota e futbollit ka ndryshuar në mënyrë drastike, falë këtij evoluimi të ri. Kështu, merkato dhe lëvizja e lojtarëve, më shpejt mund të njoftohet nëpërmjet rrjeteve sociale, sesa në media siç jemi mësuar zakonisht të shohim.
Kështu ndodhi edhe këtë herë, me sulmuesin shqiptar, Muriq, që sheh sesi ëndrra e tij e madhe shuhet paksa nga “Instagrami”. Do të ishte postimi i njeriut pranë Falkaos, Fatih Ilek, ai që do të ndryshonte humorin e futbollistit shqiptar.
“Gati Turqi? Bomba po vjen”, shkruan nëpërmjet “Instagramit” të Ilek, duke i bashkangjitur edhe inicialet e Falkaos. Nuk është e vështirë shumë të kuptohet se për cilën skuadër bëhet fjalë, pasi Galatasarai vjen menjëherë si një variant i parë.
Prej kohësh skuadra turke kishte hyrë fuqimisht në treg, për të kërkuar dy sulmues. Pasi nënshkrimi i parë erdhi, Muriq ishte duke rivalizuar me disa yje të tjerë, për të fituar vendin e fundit të sulmuesit të Galatasarait. Por një postim në “Instagram” dhe më pas raportimi i mëvonshëm i mediave turke do të zbehte shpresat, me Falkaon që zyrtarizimin në skuadrën e re e ka vetëm çështje kohe. /Shqiperia.ch/