Kosova ndodhet në të njëjtin grup me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi për kualifikueset e europianit 2020. Bëhet fjalë për grupin A, që teorikisht ka të përcaktuar vetëm vendin e parë. Ndërsa për të dytin, mund të quhen në garë gjithë pjesëmarrëset e tjera, pasi ka pak diferenca mes tyre.
Këtë e di më së miri edhe mbrojtësi i Atletico Madridit, malazezi Saviç. Ai ka paralajmëruar shokët e skuadrës, se nuk duhet ta marrin aq thjeshtë ndaj dardanëve. Në një intervistë për “Vijesti”, futbollisti i skuadrës spanjolle shprehet i sigurt se Kosova do të jetë kafshatë e vështirë për t’u përtypur edhe nga të tjerët.
“Unë mendoj se Kosova ishte skuadra më e mirë në vazon e pestë. Është përfaqësuese e re, me djemë të rinjë që duan të provojnë veten. Mund të surprizohem nga të gjithë, do të jetë shumë e vështirë ndaj tyre, jo vetëm për ne, por për të gjithë”, u shpreh Saviç. /Shqiperia.ch/