
Valdrin Mustafa është transferimi më i fundit i futbollistëve shqiptarë, teksa ka lënë K’lautern për të shkuar me Hanoverin. Tashmë si pjesë e Bundesligës, por për sulmuesin e Shpresave ka ende punë.
Ai duhet të dëshmojë vlerat e tij në ekipin e dytë të Hanoverit, për të marrë një vend në elitën e futbollit europian. Nuk do të jetë e vonë dita, pasi me gjithë aftësitë e mëdha që zotëron ky lojtar, shkurtimi i kohës është thuajse një fakt i kryer.
“Shqiperia.ch” ka kontaktuar menjëherë me Mustafan, i cili tregon më tepër rreth këtij transferimi të ri, por edhe refuzimit që i ka bërë Gjermanisë për kuqezinjtë.
“Hanoveri është një ekip i madh që të tregoj veten dhe të jap maksimumin tim. Unë kam pasur kontakt edhe nga U-19 e Gjermanisë, por vendosa të luaj për Shqipërinë”.
Më pas i pyetur rreth kontaktit me Florent Muslijan, talentin tjetër që luan me Hanoverin e parë në Bundesligë, Mustafa shprehet: “Florentin e kam shokë të ngushtë, kam folur me të dhe më ka treguar që Hanoveri është një klub shumë i fortë”. Emocionuese mbetet përgjigja e talentit 20-vjeçar, ndërsa i kërkojmë disa fjalë qetësie për tifozët shqiptarë, pasi jemi mësuar shpeshherë me futbollistë që braktisin pasi hedhin një hap të madh në karrierën e tyre.
“Largimi nga Shqipëria? Unë e kam zgjedhur Shqipërinë, do të luftojë për Shqipërinë, deri atëherë kur nuk do të mund të luaj më futboll”, ka thënë me buzëqeshje Mustafa. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/