Gjithmonë jemi mësuar që nga treva shqiptare e Maqedonisë, të na vijnë shumë raste krenarie, me futbollistë që përpos vlerave të tyre, kanë ndjenjën e atdhedashurisë në nivelet më të larta. I tillë është edhe futbollisti i njohur në Shqipëri, Nijas Lena.
Të gjithë e njohin, mesfushorin që aktualisht luan me Strugën, ndërsa ka luajtur më parë edhe me ekipe si Flamurtari, Teuta dhe Kukësi. Në karrierën e tij e ka vuajtur në disa raste faktin e të qënit shqiptar, teksa një trajner serb në Suedi nuk i dha shansin, vetëm për shkak të kombësisë.
Klas në fushën e blertë, por klas edhe në prononcime. Ky lojtar mbetet gjithmonë i njëjti, teksa pa doreza flet gjithmonë ashtu si i mendon gjërat, duke mos bërë kompromis me asgjë.
“Shqiperia.ch” e ka kontaktuar Nijas Lenën, për të kërkuar një mendim të tijin për gjithçka ka ndodhur me Kombëtaren tonë gjatë këtyre kohëve.
“Sa i përket rastit të Strakoshës, vendimi që ka marrë trajneri Panuçi është i ekzagjeruar. Do të bëj diktatorin, duke treguar rregulla. Por ai nuk është aty për të na treguar ne apo cunave të Kombëtares se unë di të dënoj dhe të përjashtoj.
Me këtë taktikë mbron disi paaftësinë e tij, për atë pozicion ku ndodhet. Për mua Panuçi nuk di të ndërtoj një ekip stabël apo një skemë taktike. Ne nuk e dimë ende se çfarë baze ka Kombëtarja jonë, kur ka dy vite në drejtimin e tij.
Për Lenjanin unë mendoj se u nxitua pak për vendimin për t’u mos u grumbulluar më në Kombëtare, sa të jetë trajneri aktual. Por në shkrimin e tij, e deklaronte që e ndien shumë fanellën e Kombëtares dhe ka dhënë për fanellën tonë. Kjo nuk mund të mohoet dhe për mua duhet të ishte aty, për Shqipërinë e jo për Panuçin.
Dua të prek paksa edhe zgjedhjet e fundit të futbollistëve shqiptarë. Sigurisht që çdo futbollist bën zgjedhjet e tij se për kë shtet do të luajë. Nëse e duan Greqinë, le të ikin sa më shpejt të jetë e mundur, se aty dalin ata që janë kundër Shqipërisë. Kështu nëse këta zgjedhin Kombëtaren tonë, nuk do dinë të japin zemrën dhe të bëjnë sakrificën. Pra, tradhëtarët sa më larg Shqipërisë.
Patjetër që gjithmonë në sport ka nevojë për figura të reja, që dinë të përcojnë mesazhe pozitive te të rinjtë si në aspektin sportiv, por edhe në kulturën e përgjithshme. Së pari duhet të jesh njeri, pastaj edhe sportist”, ka thënë Lena. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/