Kur Liridon Latifi luante për Skënderbeun në kampionatin shqiptar, të gjithë futbollistët e tjerë veniteshin dhe vëmendjen kryesore e merrte vetëm Liridoni. Jo më kot, flisnim për një lojtar që mjaftonte t’i jepje topin në fushë dhe ai “vallëzonte” lirisht me të.
Kampionati shqiptar vuante për të tillë futbollist, prandaj ky lojtar kishte rëndësi të dyfishtë. Largimi i tij drejt Pushkash Akademi u shoqëroi me bujë të madhe, por gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet. Latifi ka humbur edhe vendin në kombëtaren shqiptare, të fituar me aq mund më parë.
“Shqiperia.ch” e ka kontaktuar lojtarin, ndërsa ky i fundit tregon se ka biseduar edhe me teknikun italian, Kristian Panuçi, duke premtuar se do të bëj gjithçka për t’u rikthyer në Kombëtare.
“Në takimin ndaj Mezokovesd jam dëmtuar, në të njëjtën mënyrë si 1 vit më parë, kur erdha në Pushkash Akademi.Për këtë arsye kam humbur 4 javë të kampionatit. Gjatë kësaj jave do të rikthehet plotësisht i gatshëm për skuadrën time.
Më ngelet të shpresoj se nuk do të kem më probleme, sepse ky që po lë pas, ishte i lëndimeve për mua. Sa i përket Kombëtares, është e kuptueshme. Nëse nuk ke minuta, nuk mund të grumbullohesh. Këtë ma ka thënë vetë personalisht Panuçi, që nëse nuk do të luaj vazhdimisht, atëherë e ka të vështirë të më ftoj.
Unë e kuptoj vendimin e tij dhe shpresoj se shumë shpejt do kthehem atje ku isha. Futbollistëve të Shqipërisë iu uroj shumë suksese, do të kthehem me ta së shpejti”, u shpreh Latifi për “Shqiperia.ch”. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/