Shqipërisë i duhen më shumë futbollistë si Emir Sahiti, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Një talent në fushën e lojës, por nga ata të vërtetët, sepse në Shqipëri kjo fjalë shpeshherë e ka humbur kuptimin e saj.
Tashmë sulmuesi 19-vjeçar, ka hedhur një hap të madh në karrierën e tij, pas nënshkrimit me Hajdukun e Splitit, një ndër ekipet më të njohura në Kroaci. Vështrimi është i gjithi në aftësitë e këtij djaloshi, që gjithmonë ka qenë i dashuruar marrëzisht me ngjyrat kuq e zi.
Në një intervistë dhënë për “Shqipëria.ch”, Sahiti ka komentuar edhe çështjen e zgjedhjes së Kombëtares, ku pavarësisht interesimeve nga Maqedonia dhe Kosova, futbollisti është shprehur se nuk është penduar që është pjesë e Shqipërisë.
“Fillimisht jam shumë i kënaqur që kam ardhur në klubin me më shumë emër në ballkan, në Hajdukun e Splitit. Lojtarët dhe klubi më kanë pritur shumë mirë, flitet për profesionalizëm të madh dhe besoj se shumë shpejt do të jem në pikën ku unë dëshiroj.
Sa i përket Shpresave tona, tashmë ka mbetur edhe një ndeshje nga fundi i eliminatoreve. Në vitin tjetër do të e kemi një grup shumë të mirë me moshat që janë në datëlindjen 1998-1999, do të bëhet një ekip vërtet shumë i fortë, pasi potenciali ekziston. Pendesë që zgjodha Shqipërinë? Asnjëherë”, u shpreh Sahiti. /Shqipëria.ch/