Në prag të ndeshjeve që do të zhvillojë Kombëtarja dhe Shpresat, “Shqiperia.ch” ka marrë një intervistë nga trajneri i kuqezinjve U-21, Alban Bushi. Pasi ka analizuar grupin e kualifikueseve sa i përket Shpresave, trajneri është ndalur edhe në çështjet e hapura së fundmi.
Durmishaj, Vrushaj dhe Leonidas Rosi, këto ishin tre rastet e fundit me lojtarët shqiptarë që kanë zgjedhur helenët. Ndërsa kur flitet për mendimin e trajnerit Bushi, mesazhi është i prerë dhe i qartë: “Futbollistë të tillë, nuk ka arsye për t’i kërkuar te Shqipëria”.
“Rasti i fundit ishte ai i Rosit, që zgjodhi të largohej te Greqia. E morra vesh pak më vonë, që ky lojtar ishte shpallur edhe te lista e Greqisë. Fola me prindërit e tij dhe më komunikuan vendimin. Njerëzit janë paksa të çuditshëm dhe ne nuk mund t’i detyrojmë që të zgjedhin Kombëtaren. Megjithatë detyra jonë është që t’i ftojmë ata, për t’iu bashkuar Shqipërisë. Detyra jonë është t’i evidentojmë talentet dhe t’u dërgojmë ftesa atyre.
Më pas nëse ata nuk kanë dëshirë, nuk ke se përse e do piksëpari një lojtar që e ka me dy mendje që të zgjedh Greqinë apo Shqipërinë. Nuk e di sesa do e ndiejnë fanellën e grekut kur ta veshin lojtarët shqiptarë, por si me Durmishajn dhe si pa të, Shqipëria do të mbetet”, u shpreh Bushi. /Shqiperia.ch/
(Intervista e plotë me video publikohet gjatë ditës së nesërme te “Shqiperia.ch”)