Në rregullin e gazetarisë thuhet se asnjëherë nuk ka pyetje idiote, por ka përgjigje të tilla. Por nëse bëhen përjashtime në këtë rregull? Jemi të vegjël për të përcaktuar një gjë të tillë.
E megjithatë, një temë diskutimi për Panuçin sa herë që del në konferencë, janë lojtarët e kampionatin shqiptar. Përse nuk i thërret në Kombëtare kur luajnë në Shqipëri, por sa ikin jashtë? “Nuk është e vërtetë, kam thirrur Gavazajn me Skënderbeun, Guri kur luante te Kukësi dhe Abazajn kur luante te Luftëtari. Te Kombëtarja vjen kush e meriton”, shprehet me të drejtë Panuçi.
Një pyetje konfuze dhe që lë pak për të kuptuar. Atëherë, cilët janë emrat që mund të shkëlqenin dhe nxirrnin nga kjo gjendje ku është Shqipëria? Për momentin nuk ka asnjë, sepse rregullat të tilla janë, nëse do të kishte, do të gjendeshin në majat më të larta të futbollit tani.
Është mëse e qartë se futbolli shqiptar është ende shumë larg konkurrimit me atë gjerman, spanjoll, italian apo edhe kroat, që gjatë gjithë historisë kanë shërbyer si shkolla futbolli. E si mund të pretendohet që një lojtar i cili luan në majat më të mëdha të futbollit, të shihet në të njëjtën mënyrë me atë që luan në Shqipëri, disa shkallë më poshtë?
Madje janë këta të fundit ata që duhet të bëjnë trefishin e punës që mund ta bëj një lojtar normal, për të rënë në vëzhgimin e Shqipërisë. Me një gol të shënuar në Superiore dhe duke ndjekur me rregullsi të madhe eventet në lokalet e natës, kurrsesi nuk mund ta marrësh një ftesë nga Kombëtarja. Pyetje të tilla, janë më shumë sesa qesharake. Panuçi mund të ketë gjithë fajet e botës që Shqipëria është në këtë gjendje. Por të pyesësh se përse Kroacia apo Gjermania ndodhet më para nesh, italiani është fajtori i fundit. /Shqiperia.ch/