
Berat Gjimshiti ka zhvilluar një sezon fantastik me Atalantën, sidomos nëse i referohemi vitit futbollistik 2019. Në ndeshjet e mëdha gjithmonë ka qënë mbrojtësi shqiptar si titullar, duke qënë një garanci e madhe për prapavijën. Piatek, Ronaldo, Ikardi…! Në fakt, janë shumë lojtarë që duhen kërkuar në xhepin e lojtarit të Shqipërisë.
Menjëherë kanë nisur kontaktet e para nga klubet europiane, për të marrë në merkaton e verës Gjimshitin. Sipas mediave italiane, Fiorentina dhe Zeniti janë dy ekipet e para që e kanë shfaqur hapur interesin e tyre mbi lojtarin kuqezi. Madje këta të fundit ndodhen në vendin e parë në Rusi dhe e kanë të sigurt kalimin në fazën e grupeve të “Champions League” sezonin e ardhshëm.
Gjithsesi, ajo që duhet theksuar më së shumti, është vlera e ndryshuar në mënyrë të paimagjinueshme për Gjimshitin nga merkato e dimrit në atë të verës që pritet të hapet së shpejti. Vetëm pak muaj kanë kaluar, kur ekipi i Beshiktashit kërkonte të merrte këtë mbrojtës si të flitej për bamirësi. Vetëm 400 mijë euro kërkonte të shpenzonte ekipi turk në arkat e klubit italian, madje duke këmbëngulur për këtë transferim. Tashmë po sipas mediave italiane vlerat maksimale e Gjimshitit shkon deri në 12 milionë euro, por sërish pa pasur garanci, pasi trajneri Gasperini mund ta ketë në planet kryesore për sezonin e ardhshëm.. /Shqiperia.ch/