
Mërgim Mavraj e ka lënë ekipin e Arisit, për t’iu bashkuar Ingolshtadit në Bundesligën 2. Pas një aventurë zhgënjyese në Greqi, kapiteni i Kombëtares ka zgjedhur të kthehet në vendin ku u formua si lojtar.
Megjithëse jo me ekipin më të mirë të mundshëm, pasi Ingolshtadi ndodhet në vendin e fundit dhe ka 14 ndeshje pa fituar. Këto të dhëna nuk e frikësojnë aspak mbrojtësin shqiptar, që shpreson te mbijetesa. Mavraj i është bashkuar skuadrës në stërvitje, ndërsa gazetarët gjermanë e kanë ngacmuar disi futbollistin e Kombëtares, për ta pyetur nëse e kërkon shiritin e kapitenit te Ingolshtadi, pasi e zotëron edhe te Shqipëria e vjen nga një eksperiencë e madhe.
“Të jesh kapiten është një nder i madh që të bëhet e kënaqësi padyshim. Por për mua kjo nuk është e domosdoshme. Nëse nuk jam kapiten, kjo nuk ndryshon sjelljen time në fushë. Do i shërbej deri në fund trajnerit e skuadrës.
Kënga që do këndojë para ekipit? Nuk ia them kësaj fushe në fakt, të gjitha këngët edhe po t’i këndoj, do të fyeja ekipin. Megjithatë unë përdor gjithmonë të njëjtën, por nuk ua them që tani”, tha duke qeshur Mavraj. /Shqiperia.ch/