
Lokomotiva e Zagrebit ka humbur në takimin ndaj Rijekës në transfertë në ditën e sotme, duke u mundur me rezultatin 3-0. Skuadra ku aktivizohet edhe Myrto Uzuni, nuk i ka bërë dot ballë skuadrës së momentit dhe më formë në Kroaci.
Rijeka e kishte mundur përpara dy ditësh në transfertë me rezultatin 1-2 në Kupë, edhe falë ndëshkimit me karton të kuq të Myrto Uzunit. Pas daljes nga fusha të futbollistit shqiptar, do të vinte edhe përmbysja e skuadrës kundërshtare.
Por teksa të gjithë prisnin njëfarë “hakmarrje” të lojtarit më në formë të Kombëtares, kjo nuk është bërë e mundur. Uzuni nuk mund të luante në këtë takim, për shkak të rregullit të pazakontë që ndjek Federata në Kroaci.
Kartoni i kuq i marrë në Kupë, ndikon edhe në kampionat, rregull ky që nuk haset shpeshherë. Në këtë mënyrë Myrto nuk mund të ndihmonte skuadrën gjatë takimit të sotëm, teksa duhet të ishte vetëm një tifoz në humbjen e skuadrës së tij. /Shqiperia.ch/