
Etrit Berisha nuk e ka fatin si një aleat në karrierën e tij. Portieri kuqezi e ka humbur shumë herë vendin në ekip edhe padrejtësisht, megjithëse zotëronte më shumë vlera se lojtari që zgjidhnin trajnerët për të mbrojtur portën.
Kjo ndodhi te Lacio, atje ku gabimet fëmijnore të Marketit, nuk ishin të mjaftueshme për të bërë titullar Berishën. Më pas do të vinte kalimi te Atalanta, një ekip që asokohe endej mes luftës për mbijetesë.
Trajneri Gasperini provoi ruletën mes Berishës dhe Golinit, ashtu siç do e pohonte edhe vetë, pasi donte t’i jepte minuta të dyve futbollistëve. Në momentin e artë të Atalantës, shigjeta ishte e drejtuar te gardiani i ri italian që mban vendin edhe për sezonin e ardhshëm. Së fundmi mediat italiane raportojnë se Berisha ka gati valixhet nga ekipi që arriti në “Champions League”, megjithëse nëse shohim pas, Golini nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme. /Shqiperia.ch/