
Këtë herë bëhet e mundur, Shkëlqim Demhasaj është afrimi më i fundit i Kosovës për takimet ndaj Maltës dhe Azerbajxhanit. E pashpjegueshme ngelet situata, për mënyrën sesi ky futbollist u konsiderua më herët si një përforcim i dardanëve, por nuk u thirr nga Shaland.
E megjithatë, afrimi “fantazmë” shfaqet në listën e Kosovës dhe këtë e zyrtarizon Federata e Futbollit në Kosovë. Sulmuesi Demhasaj konsiderohet si një lojtar me potencial, pavarësisht se në takimet e fundit ka përfunduar në stol te Luzerni.
Dëmtimi i Bersant Celinës i ka dhënë të drejtën “dardanëve” për të thirrur një tjetër futbollist në organikën e tyre, duke mos e menduar dy herë marrjen e Demhasajt. Megjithëse ajo që duhet të theksojmë, është se trajneri zviceran duket se nuk e di se çfarë ndodh te Kosova. Vetëm para pak orësh, Shaland do të shprehej në konferencë:
“Celina është dëmtuar, por ne nuk do të thërrasim një lojtar tjetër te Kosova. Pastaj, kë të thërrasim? Më jepni një emër? Nuk kemi, pastaj unë nuk thërras lojtar tjetër thjeshtë sa për të mbushur numrin e lojtarëve të grumbulluar”, shprehej Shaland, ndërsa pa kaluar 60 minuta, Federata vërteton të kundërtën. /Shqiperia.ch/