Armando Sadiku njofton në rrjetin social Instagram, që do të largohet nga ekipi i Malagës. Lojtari u shpreh se është mjaft i lumtur për periudhën që kaloi tek ekipi spanjoll, pikërisht aty ku do të gjente veten pas muajve të vështirë që kaloi në karrierën personale. Por njëkohësisht duke i dhënë një dorë kësaj skuadre me golat e realizuar për ta shpëtuar nga rënia e sigurtë në ligën e tretë spanjolle. Koha e huazimit përfundoi dhe tashmë Sadiku kthehet përkohësisht tek Levante, deri në vendosjen përfundimtare të të ardhmes së tij. Ndërkohë sulmuesi shqiptar nuk ngurroi të falënderonte të gjithë stafin e klubit, tifozët dhe bashkëlojtarët për mbështetjen e madhe që i kanë ofruar që në momentin e parë të mbërritjes në këtë klub.
“Dje mbaruam një sezon të vështirë por të bukur. Ne përmbushëm objektivin përfundimtar dhe vuajtëm për ta arritur atë. Malaga do të vazhdojë edhe një vit në Segunda Division, për tu rikthyer në vendin që meriton ky klub, në La Liga. Dua të falënderoj tifozët tanë që gjithmonë na brohorisnin dhe ndihmuan ekipin të arrinte shpëtimin. Që ditën e parë që shkova në “La Rosaleda” ndjeva diçka të veçantë. Falënderoj gjithashtu shokët e mi të skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar të shënoj 13 gola dhe të ndihem i lumtur që luajta përsëri futboll pas muajve të vështirë që kisha kaluar. Falënderoj të gjithë njerëzit në klub që më kanë mbështetur gjithmonë që ditën e parë që kam mbërritur. Tani është koha për të pushuar dhe për tu përgatitur për sezonin e ardhshëm. # Le të shkojmë Malaga”,- shkruan Sadiku./Sport Ekspres/