Pas atij super sezoni që zhvilloi Vedat Muriqi me Rizesporin, duke shënuar thuajse në çdo ndeshje, mbërritën edhe përfitimet e para. Në merkaton e verës kanë qënë të shumta skuadrat që e kërkonin për ta transferuar, por dëshira e sulmuesit të Kosovës është bashkimi me Galatasarain.
A do të bëhet e mundur? Rizespori është duke e shfrytëzuar në maksimum këtë rast, madje duke luajtur edhe me karrierën e Muriqit në mënyrë aspak të ndershme. Presidenti i këtij ekipi e kishte paralajmëruar se do të përfitonte sa më shumë para të ishte e mundur, ndërsa e gjitha kjo situatë po sos edhe durimin e skuadrave të interesuara.
Çmimi fillestar shkonte deri në 2 milionë euro, ndërsa tani vlera e këtij sulmuesi arrin në 10 milionë euro. Presidenti i Rizesporit, Hasan Kartal, ka folur sërish për Vedat Muriqin, duke mos treguar asgjë sa i përket shifrës që duhet të derdhin në arkat e klubit, për ta marrë në merkaton e verës.
Pra e gjithë ideja është e thjeshtë, kush do të ofrojë më shumë në këtë tymnajë të madhe, do e marrë në skuadër, pa u marrë fare parasysh dëshirat e lojtarit. “Duhet ta dërgojmë në fazën përfundimtare këtë çështje, ose Muriqi do të vazhdojë të jetë te Rizesporit. Kjo javë do të vendos gjithçka, Galatasarai ka bërë një ofertë. Do të ishte e gabuar që të flisja për shifra, ne e kemi numrin që duam në kokën tonë dhe nuk do e themi”, u shpreh Kartal. /Shqiperia.ch/