
Kjo aktualja është periudha më e vështirë në karrierën e Mërgim Mavrajt. Kapiteni i Kombëtares pasi hasi aq shumë vështirësi te Arisi, atje ku u largua pa filluar mirë, ulet në stol edhe me ekipin që kërkon mbijetesën në “Bundesliga 2”.
Ingolshtadi është shumë pranë rënies, por ka ende pak shpresë në këto ndeshje të fundit. Kur të gjithë presin aktivizimin e Mavrajt, që është një lojtar me eksperiencë të madhe, trajneri Tomas Oral ka një tjetër vendim.
Në një intervistë për mediat gjermane, ai u shpreh se nuk do e fus Mavrajn e kthyer nga dëmtimi në formacion, pasi ky është një ofendim për lojtarët e tjerë. Mbrojtësi shqiptar ka disa ndeshje që nuk luan për shkak të dëmtimit, por në këto takime Ingolshtadi ka reaguar dhe jep shpresa për mbijetesën.
“Duhet të respektoj ato që ndodhën në javën e fundit dhe nuk dua t’i ofendoj të tjerët. Djemtë që kanë qënë në fushë gjatë kësaj kohe, meritojnë të jenë sërish”, ka thënë Oral, duke i treguar stolin edhe njëherë mbrojtësit shqiptar. /Shqiperia.ch/