Klaus Gjasula dha lamtumirën nga Paderborni pasi zhvilloi një sezon në Bundesligë. Ekipi ku aktivizohej mesfushori shqiptar nuk arriti që të mbijetonte në elitë dhe për këtë arsye ishte koha e lamtumirës. Lojtari shqiptar është ndër të paktat rastet që ka përdorur shkallët për ngjitjen në karrierë dhe jo “ashensorin”.
Pra duke luajtur me kategoritë më të ulëta në Gjermani dhe për të kulmuar në elitën e Gjermanisë. Për këtë fakt ka vonuar edhe ardhja e tij te Shqipëria, ndërsa mesfushori 30-vjeçar do të provojë një tjetër aventurë në karrierë.
Vetëm një ditë pas mesazhit emocionues që dha për largimin, vjen menjëherë interesimi i një ekipi gjerman. Bëhet fjalë për Hamburgun, që ndryshe njihen edhe me nofkën “dinozaurët” për shkakun se janë një ndër më ekipet më të vjetra që janë themeluar. Gjithashtu një krenari e tyre deri në vitin 2018 ishte se nuk kishin rënë kurrë nga Bundesliga, e vetmja skuadër që kishte luajtur gjithmonë në nivelet më të larta.
Por aktualisht ky ekip është në “Bundesliga 2”, ndërsa në këtë sezon ishte vetëm 1 pikë larg mbërritjes në “Play-Off” për të diskutuar ngjitjen në elitë. Mbërritja e Klaus Gjasulës te kjo skuadër ka problemin e vetëm të pagës së lojtarit, pasi klubi nuk jep dot shifra të larta nga kriza e pandemisë që ka kaluar me ndikim të madh. Gjithsesi projekti i skuadrës është që në kampionatin e ardhshëm të ngjiten në Bundesligë duke kërkuar edhe Gjasulën si përforcim. Mbetet të shihet dëshira e lojtarit shqiptar për ta pranuar një ofertë të tillë. /Sport Ekspres/