As Shqipëri e as Kosovë, Lirim Kastrati i ka shtangur që të gjithë me dëshirën e tij. Futbollisti dhe njeriu që ka marrë vëmendjen më të madhe në kampionatin kroat, Kastrati, duket se nuk do të ndalet sa i përket golave të shënuar.
Futbollisti me origjinë shqiptare, që u largua nga Shkëndija e Tiranës për të mbërritur te Lokomotiva e Zagrebit, e ka harruar lehtësisht origjinën e tij. Nuk u deshën shumë kohë, mjaftuan vetëm pak vite, për të mos thënë muaj.
Tashmë për të nuk ekziston dëshira më e vogël për të luajtur me Kosovën apo Shqipërinë, ndërsa kërkon që të përfaqësojë Kroacinë. Arsyeja sipas asaj që raportohet në “Index.hr”, është ndoshta më e sinqertë nga çfarë duhet: “Shqipëria dhe Kosova janë më të dobëta”.
“Unë kam folur shumë sa i përket zgjedhjes së përfaqësueses time, megjithatë nuk kam vendosur ende asgjë. Kam dëshirë të luaj me Kroacinë. Nuk e kam ende pashaportën kroate, por në 3 vite unë mund ta marrë atë dhe mund të jem gati për kombëtaren kroate. Kroacia është një futboll më i mirë dhe më i fortë se Kosova dhe Shqipëria, prandaj do të doja të mbaja veshur këtë fanellë”, u shpreh Kastrati, duke shënuar kështu, ndoshta “autogolin” e parë të karrierës. /Shqipëria.ch/