
Një tjetër transferim në këtë merkato janari ishte edhe ai i shqiptarit nga Maqedonia, Mevlan Adili. Mbrojtësi u zyrtarizua ditën e djeshme tek skuadra lituaneze e Zalgirisit, të cilët arritën akordin me ekipin shqiptar të Shkëndijës së Tetovës.
Ajo çka u vu re nga ky transferim ishte sjellja e klubit lituanez, teksa në faqen e tyre zyrtare, e kanë cilësuar Adilin si lojtarin shqiptar nga Maqedonia. Një term ky që është tepër i saktë e që ndodh në një vend të huaj dhe jo në trevat shqiptare. Më ironikja, është pikërisht që në vendin tonë e harrojnë deri diku edhe qëllimisht përcaktimin e saktë, duke krijuar edhe përçarje brenda popullsisë tonë.
Pasi në një vend normal, respektohet me kujdes të madh tradita e një lojtari e prejardhja e tij. Nëse do t’i bashkohej një ekipi shqiptar në Superiore, padyshim që titujt: “Maqedonasi i bashkohet kampionatit shqiptar”, do të shiheshin në mënyrë të turpshme në gazetat tona sportive, që rëndomtë ndodhin duke parë të shkuarën.
Por jo në Lituani, teksa klubi i Zalgiris shkruan saktë dhe qartë: “Shqiptari nga Maqedonia, është i lindur dhe rritur në Shkup”. Pak leksion nuk bën kurrë keq, edhe për mediat brenda trevave tona, prandaj duhet thënë: “Faleminderit Lituani!” /Shqiperia.ch/
(Foto e siguruar nga Infosport)