
Lorik Cana ka folur për herë të parë në lidhje me trajnerin e ri të Shqipërisë, Reja. Dikur kapiteni legjendar i kuqezinjve ka qënë nën urdhërat e këtij tekniku, kur luante me ekipin e Lacios. I ftuar në studion e “Tring Sport”, Cana është shprehur se Reja është një trajner me moshën më të madhe në botë, jo vetëm në Europë. Ndërsa pikëpyetja e vetme e kapitenit, mbetet fakti se tekniku në fjalë ka drejtuar vetëm në Itali.
“Eshtë një trajner me eksperiencë shumë të madhe. Me shumë mundësi, një nga trajnerët që besoj se ka moshën më të madhe jo vetëm në Itali, por në mbarë futbollin. Ne kemi pasur edhe Baric, por ky vjen me moshë më të madhe.
Kur një trajner ka një moshë 73-vjeçare dhe me përvojë, qëllimi është i qartë, të stabilizohet ekipi dhe të merret më e mira deri në nëntor, së paku. Mirëpo, kjo pjesa që nuk ka absolutisht asnjë lloj përvoje përveç kampionatit italian, ngre pak pikëpyetje. Por është një person që e njeh mirë futbollin dhe shpresojmë që të arrijë të marrë më të mirën nga ky ekip”, ka thënë Cana. /Shqiperia.ch/