
Ditën e djeshme skuadra e Genk, ku është pjesë edhe dardanasi Edon Zhegrova, ka arritur të barazojë me rezultatin 1-1 kundër turqëve të Beshiktash, sfidë kjo e vlefshme për grupet e “Europa Ligë”.
Pak orë përpara fillimi të kësaj sfidë, ekipi belg i Genk, publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për këtë sfidë, ku ndër to, ishte dhe shqiptari Zhegrova. U duk se çdo problem që kishte mesfushori me trajnerin e klubit të tij, ishte mbyllur. Zhegrova përpara zhvillimit të ndeshjes, pavarësisht se ishte i grumbulluar, nuk figuronte as në stolin rezervë të skuadrës së Genk, për të përfunduar në tribunë.
Leksionet vazhdojnë nga numri një i pankinës, Klement, teksa kohë më parë ka deklaruar që Edoni duhet të heqë dorë nga kapriçot e tij, duke mos i dhuruar debutimin e parë në Europë. Mesa duket mesfushori dardanas duhet të presë ende për të bërë debutimin e tij në arenën ndërkombëtare, pasi në këtë moment, gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet mes tij dhe trajnerit belg. /Shqiperia.ch/