
Rezultatet jo të mira që ka marrë Lacio në ndeshjet e fundit, ka bërë që në mediat italiane të flitet për një ndryshim rrënjësor në skuadër. Madje gjërat kanë shkuar deri aty, aqsa të diskutohet për ndryshimin e trajnerit.
Kishte kohë që te lacialët nuk diskutohej trajneri, e kjo gjë ndodh në këtë moment. Në mediat italiane gjatë 24 orëve të fundit, është përfolur edhe zëvendësuesi i Inzagit. Bëhej fjalë për De Biazin, ndërsa fqinjët e përmendën këtë emër, duke marrë parasysh edhe marrëdhënien që ka me Igli Taren.
Në një situatë të tillë, vetë presidenti Lotito ka dalë për të sqaruar këto zëra dhe për të hedhur poshtë këtë teori të mundshme, megjithëse nuk e ka pasur për zakon që të përgjigjet për të ardhmen e klubit dhe stafit drejtues.
“Vendosa të flas pas 4 vitesh, sepse kam lexuar shumë artikuj të mediave këto ditë, që duan të prishin harmoninë tonë. Inzagi do të jetë pjesë e jona për shumë vite, Tare do të jetë po me ne. Ne nuk jemi kalimtarë, por do të jemi këtu gjithmonë. Lacio? Është si një ferrari, por që udhëton me shpejtësi të ngadaltë. Ndodh edhe që të mos punojnë motorri, por e rëndësishme është që të rifillojmë shpejt”, u shpreh Lotito. /Shqiperia.ch/