Shqipëria U-19 e ka publikuar listën e saj për ndeshjet e kualifikueseve të Europianit, atje ku kërkohet me çdo kusht kualifikimi, ndërsa si rivalë janë: “Belgjika, Greqia dhe Islanda”. Pavarësisht emrave të kundërshtarëve, duke parë talentet e mëdha që gjenden në listën e kuqezinjëve, kualifikimi është i mundur.
Në një prononcim për “Sport Ekspres”, trajneri i Shqipërisë U-19, Nevil Dede, ka komentuar edhe shumë çështje të tjera. Për ta nisur që nga Armando Dobra që është një talent me cilësi shumë të mëdha dhe luan te Ipswich, për të vazhduar me Marvin Çunin që është pjesë e akademisë së Bajernit, por edhe mbi një sistem 3-5-2 që mund të përdoret edhe te grupmoshat e kuqezinjëve.
“Patjetër që emrat që ne kemi në listën e Shqipërisë U-19 na bëjnë që të kemi pritshmëri të mëdha. Na bazë të tyre, na rritet edhe shpresa për të kërkuar sa më shumë. Unë e kam thënë edhe në konferencë, që objektivi ynë është kualifikimi. Por objektivi primar mbetet evidentimi i sa më shumë lojtarëve që mund t’i shërbejnë Kombëtares në të ardhmen.
Dobra dhe biseda për të me Bushin? “Çdo trajner ka filozofinë e tij. Te Kombëtarja në bashkëpunojmë si grup dhe trajneri Bushi kërkon ato lojtarë që i duhen për t’i futur te Shqipëria U-21. Pra ndikojnë shumë arsye dhe ka shumë lojtarë të tjerë që mund të shihen”.
Marvin Çuni dhe sa pritet prej tij? “Do të jetë një forcë më shumë edhe për të ardhmen. Ka shumë cilësi të mëdha. Nuk dua ta ekzagjeroj, por të paktën 8-10 lojtarë janë shumë të mirë. Nuk mund të flas më në veçanti”.
Ernest Muçi dhe besimi i pakët te Tirana: “Përderisa gjithçka shkon mirë kur ai vjen në Kombëtare, atëherë nuk mund të them asgjë. Muçi ka ardhur dhe ka qenë në gjendje të mirë te Kombëtarja dhe kjo tregon se edhe te klubi përgatitet mirë. Në rastin kur ai do të vijë dhe nuk do të jetë në gjendje të duhur, atëherë kjo tregon se diçka nuk shkon te Tirana. Për momentin është në nivelin e duhur”.
Sistemi 3-5-2 tek të gjitha grupmoshat: “Në momentin që drejtoria teknike do të vendos një strategji të madhe, atëherë sigurisht që do të bëhet. Për momentin ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të mundohemi për të vazhduar kështu”.