Kamer Qaka e ka mahnitur Gigi Becali-n, presidentin e skuadrës së FCSB (ish-Steaua e Bukureshtit) . Nuk është hera e parë që numri një i klubit rumun i thur elozhe mesfushorit shqiptar që më parë është aktivizuar me moshat e Norvegjisë. Së fundmi për Qakën ka pasur një ofertë zyrtare nga ana e Craiova, që është e gatshme të paguajë shumë e 300 mijë eurove plus TVSH-në, ndërkohë që për CSM Poli Iasi do të kishte përfitime edhe në rast se ai do të shitej prapë, konkretisht 20% të asaj vlere.
Nga ana tjetër, presidenti i Iasi, Adrian Ambrosie, ka deklaruar se dëshiron ta mbajë mesfushorin shqiptar edhe një sezon tjetër, por kjo do të varet nga gjendja financiare e klubit. Nëse gjerat përmirësohen, atëherë Qaka do të mbetet sërish në të njëjtin ekip. Së fundmi ka ardhur një koment nga Gigi Becali, që e do me çdo kusht 23-vjeçarin në ekipin e tij, pasi e pëlqen shumë si lojtar. Gjithashtu ai ka një “kunj” edhe për rivalët.
“E kuptoj Që Craiova ka bërë një ofertë. Kush nuk do e donte, por duhet të jeni të gatshëm ta merrni atë, t’ia jepni klubit. Më pëlqen shumë, por nuk më pëlqen të komentoj, pasi kemi ndeshjen me Iasi. Kur ai mori tre lojtarë me vete dhe bëri atë lëvizje me topin, tregoi se është një mjeshtër. Ai është një lojtar i mirë. Le ët shohim se ku do të shkojë, te CFR, Craiova apo Steaua”, ka thënë Becali për Digi Sport 1.
CSM Poli Iasi në të shkuarën ka bërë me dije se për transferimin e Qakës çdo klub duhet të derdhë në arkat e klubit 1 milion euro. Ofertat për të kanë qenë të shumta, teksa janë katër skuadra spanjolle që e kanë nën vëzhgim, ndërkohë që një ofertë prej 500 mijë eurosh e ka bërë Braga në Portugali. E sigurt duket që në verë mesfushori i Shqipërisë të ndryshojë skuadrës, pasi për rumunët do të jetë e vështirë ta mbajnë përkundrejt gjithë këtyre ofertave. /EDS/