Jo vetëm Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, një tjetër shqiponjë që ka bezdisur jo pak Federatën ku sportistët bëjnë pjesë, është ajo e Suedisë. Kosovare Asllani quhet dhe është një krenari e gjithë shqiptarëve.
Madje, futbollistja në fjalë shkon edhe më tepër nga reagimi i lojtarëve të sipërpërmendur, duke mos pranuar vendimin e dhënë e duke bërë kërkesë llogarie, pasi për të shqiponja nuk është një provokim politik, por një krenari për të kujtuar prejardhjen e largët.
Mënyra e festimit të Kosovare Asllanit, shpeshherë ka qenë e njëjta, dy duar që lidhen me njëra-tjetrën, për të treguar rrënjët e thella të saj. Megjithatë Federata suedeze e Futbollit i ka kërkuar futbollistes që diçka e tillë të mos përsëritet në raste të tjera.
“Disa e interpretojnë shqiponjën si një provokim dhe gjest politik, por nuk është i tillë dhe unë jam krenare që e kam bërë. Është pjesë e prejardhjes time, nder dhe krenari për të gjithë shqiptarët. Kam dëgjuar se është pëlqyer shumë si gjest nga shqiptarët e Kosovës.
Një televizion në Kosovë e ka përsëritur festimin tim me shqiponjë për 24 orë. Ndiej krenari dhe mund të them se jam e nderuar. Tashmë më është thënë se nuk duhet ta bëj shqiponjën më. Nuk e di sesi do të shkojnë gjërat, por janë rregulla që duhet të zbatohen.
Është e papranueshme për mua që të ma ndalojnë një gjë të tillë. Nuk e di se kë pengon një festim i tillë. Është vetëm një festim me shqiponjë dhe asgjë më shumë. Herën tjetër do ta formoj ndonjë zog me duar dhe do të shoh a do të reagojnë njësoj”, ishte ironia e Kosovare Asllanit. /Shqiperia.ch/