You are here
Home > Kombëtarja > “Brojën e kam parë në video, e presim te Shqipëria”! Etrit Berisha: Më ka marrë malli për penalltitë

“Brojën e kam parë në video, e presim te Shqipëria”! Etrit Berisha: Më ka marrë malli për penalltitë

Etrit Berisha, duart e tij kanë çuar peshë shumë herë tifozët shqiptarë gjatë ndeshjeve të Kombëtares. Përpara se De Biazi të udhëtonte drejt Suedisë, në një qytet si Kalmar që shquhet më tepër për peshkim dhe të gjente këtë gardian, porta jonë ishte duke vuajtur për siguri.

Me provat e para Berisha dëshmoi se ishte në lartësinë e duhur, ndërsa me vetëm pak ndeshje mori edhe gjithë dashurinë e stafit të Kombëtares dhe sportdashësve. Fatkeqësisht karrierës nuk i ka marrë maksimumi. Tek Lacio do t’ia zinte vendin e titullarit Marketi, që asokohe si përparësi kishte vetëm faktin se ishte italian, pasi njihej vetëm për gafa fatale.

Më pas nisi edhe një aventurë te Atalanta, kur këta të fundit endeshin për mbijetesë. Por kur kjo skuadër shkoi në “Champions League”, zgjodhi që t’i besonte një tjetër portieri pa emër, Gollini. Pavarësisht gjithçkaje ka kaluar, Berisha shprehet në një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres se nuk është penduar për veprimin e tij për t’u larguar drejt SPAL-it.

Në Itali mediat vazhdojnë të flasin për Serinë A dhe mundësitë e vazhdimit të sezonit. Përveç anës fizike që kërkon ditët e saj të rikuperimit, a duhet që lojtarët të rikuperohen edhe nga ana psikologjike nga terrori i përjetuar në këto kohë?

Çdo lojtar mendon për anën fizike që të jetë sa më mirë kur të rifillojë kampionati dhe ne urojmë që kjo të ndodhi sa më shpejtë. Me rëndësi të madhe dhe kryesore është që të luftohet kjo pandemi dhe pastaj çdo gjë do të rregullohet. Përveç anën fizike dhe ana psikologjike është shumë me rëndësi. Ne jemi mësuar gjithmonë që të jemi gjithmonë në stërvitje dhe që të rrimë në shtëpi është një gjë e vështirë.

Të gjithë në izolim. Për çfarë të ka marrë malli më shumë në këto kohë dhe që nuk ke mundësinë për ta bërë?

Malli më ka marrë më së shumti për të pritur një penallti(qesh). Për ne portierët është më e vështirë se lojtarët e tjerë se mund të vrapojnë dhe bëjnë gjërat e tyre, ndërsa ne duhet të punojmë vetëm me trajnerin e portierëve dhe e kemi më të vështirë.

Së fundmi kanë ardhur dhe 30 mjekë shqiptarë në Itali. Reagimi i mirënjohjes ka qenë i madh nga italianët…

Është pritur mirë nga italianët kur kanë ardhur mjekët shqiptarët për t’i ndihmuar. Gjendja në Itali është vërtet e keqe në disa zona dhe kjo mundësi e ofruar nga Shqipëria do t’i ndihmojë disi njerëzve këtu, ndërsa nga ana tjetër edhe ne marrim më tepër kredite pas këtij gjesti.

Tani je pjesë e një tjetër skuadre, por të gjithë ata që e dinë karrierën tënde, me pak fat mund të ishte numri një i Atalantës në Champions League. Të dêshpëron ky fakt?

Jo aspak që të them të drejtën. I kam menduar të gjitha gjërat para se të largohem. Për mua ka qenë vendimi i drejtë dhe nuk më dëshpëron aspak. Tani jam i përqendruar te SPAL dhe jam i kënaqur me paraqitjen time personale, por pse jo edhe që të bëj më shumë.

Kumbulla, Manaj dhe Broja. Si e shikon të ardhmen e Kombëtares tonë?

Këta janë lojtarë të rinjë dhe të talentuar. Me Kumbullën dhe Manajn kam qenë në grumbullime. Kumbulla nëse vazhdon në këtë mënyrë dhe zhvillohet si lojtar, do të arrijë shumë. Ai ka shumë kualitete dhe kjo e ndihmon. Është rritur në futbollin italian që shquhet për mbrojtës të nxjerrë në nivele të larta. Manaj ka bërë hap të rëndësishëm në vitin e fundit, është rritur si lojtar, por absolutisht që mund të rritet edhe më tepër. Broja? E kam parë vetëm në sekuenca në televizion, tani presim që ta ftojë trajneri dhe të jap kontributin e tij me Kombëtaren.

Juventus apo Lacio, nëse do ta varej nga duart e tua, kujt do t’ia jepje Serinë A?

Lacio është duke bërë punë shumë të mirë në këtë sezon, ndërsa Juventusi është kampioni i disa viteve. Të gjithë sportdashësit në Itali e kanë mendjen shumë edhe te kampionati, se kujt do t’i takojë titulli. Kush do e fitojë? Por për këtë duhet të presim, kur gjendja të vijë në normalitet.

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top