
Sulmuesi i Chelseat dhe që ka rrëmbyer zemrat e tifozëve shqiptarë, Armando Broja, paralajmëron një tjetër gol me Shqipërinë U-21 ndaj Uellsit. Takimi do të luhet në ditën e sotme në orën 15:00, ndërsa dy ditë më parë fituam me rezultatin 2-1, falë dopietës së Brojës.
Në prononcimin për mediat pas ndeshjes, sipas asaj që raporton “Sportekspres”, lojtari i Shqipërisë U-21 ka paralajmëruar një tjetër gol ndaj Uellsit që do t’ia dedikojë babait të tij, ndërsa nuk ka lënë pa komentuar edhe zgjedhjen e kuqezinjve.
“Më ka thirrur Shqipëria e para, edhe thashë po vij pasi mami e babi im jetojnë këtu, kanë lindur këtu. Thashë po vij me Shqipërinë se këtu më kanë lindur prindërit, këtu është vendi ku kam gjakun. Thashë ta provoj me Shqipërinë.
I pashë familjarët e mi që ishin në stadium dhe janë shumë të kënaqur. Babi më tha të lumtë, por pastaj më ngacmoi: ‘ku ishte ai goli i tretë?!”. Normalisht unë qesha. E gjithë familja është gëzuar. Golat ia dedikoj mamit. Nuk erdhi në stadium, por për të i kam bërë golat. Të dy. Herë tjetër, të martën, ndonjë gol për babin”, ka thënë Broja. /Shqiperia.ch/