Talentet shqiptare në futboll po rriten dita ditës. Mjafton të shohim emra si Kumbulla, Broja, Vrioni, Manaj për të parë sa lart mund të mbërrihet. Megjithatë një prodhim i mirë lojtarësh vitet e fundit po vjen edhe nga kampionati shqiptar, nga ku kanë dalë emra që sot po bien në radarët e kampionateve më të forta europiane.
Të njëjtën gjë e vëren edhe menaxheri i lojtarëve, Serxhio Mezi, i cili është duke ndjekur me vëmendje talentet e kampionatit tonë. Në një intervistë për “RTV Ora“ me gazetarin Altin Sulçe, Mezi zbulon se është duke parë 2-3 elemente madje ka edhe bisedime për të transferuar njërin prej tyre në Europë.
Një nga të rinjtë që i ka bërë më tepër përshtypje është Çelhaka, ndërsa flet edhe për brezin e ri që po rritet në Itali, ku edhe vetë jeton. Dëshira e tij është që të sjellë talente si Molla e Hasa në Kombëtaren kuqezi, megjithëse pengesa më e madhe në këtë pjesë duket se janë prindërit dhe jo lojtarët.
“Kam ardhur në Shqipëri për të vëzhguar lojtarë. Kampionati shqiptar është duke ecur shumë. Talentet janë në vëzhgim, jemi duke vëzhguar shumë lojtarë. Njëkohësisht kam ardhur në Shqipëri për 2-3 elemente. Edhe në Kosovë po ashtu jemi duke vëzhguar. Kampionati shqiptar nuk është se s’ka elemente, madje ka elemente të mirë. Sidomos ekipi i Tiranës ka bërë shumë bum këtë vit dhe ne po shikojmë 2-3 elemente që ia vlejnë. Momentalisht jemi në bisedime që mund të transferojmë një lojtar drejt Europës.
Janë gati të luajnë në Serie A? Në Serie A është pak e vështirë, por nuk mund të themi që është e pamundur. Por edhe jashtë Italisë jemi në bisedime për shumë lojtarë cilësorë. Futbollist që më ka bërë përshtypje? Çelhaka është mesfushor shumë i mirë. Më pëlqen shumë, është shumë i saktë. Kam dëshirë të bashkëpunojmë.
Ia vlen të përmenden dy vëllezërit Tozaj. Njëri është i vitit 2004, që luan me të rinjtë e Sampdorias. Vëllai i vetë ka nënshkruar një kontratë me Entelën që të jetë pjesë e primaverës për sezonin e ardhshëm. Ka shumë lojtarë që luajnë në Itali. Marko Molla, që është portier. Ka zgjedhur të luajë me Kombëtaren italianë, është pjesë e Bolonjës. Është Hasa i të rinjve të Juves. Ia vlen të përmendim edhe Kumbulla të ri, që është Marinaj i Lazios.
Jemi në bisedime që edhe Molla dhe Hasa të bëhen një ditë pjesë e Kombëtares sonë. Të rinjtë shqiptarë kanë shumë dëshirë të përfaqësojnë Kombëtaren shqiptare, por më tepër janë prindërit që nuk duan se sa lojtarët. Sepse është pak mentaliteti. Një njeri që ka shkuar në Itali, e ka lënë Shqipërinë dhe do të shikojë gjithmonë për më lart”, ka thënë Serxhio Mezi.