Duket se futbollisti shqiptar i rikthyer këtë muaj, e mban emrin “Bekim Balaj”. Kjo pasi sulmuesi shkodran dita-ditës po shpërthen me skuadrën ruse të Akhmat Gronzy. Ditën e djeshme bomberi shkodran ka mundur të gjejë sërish rrugën e rrjetës me ekipin e tij, ku këta të fundit po zhvillojnë mini fazën përgatitore për rifillimin e kampionatit.
Në miqësoren e djeshme ekipi rus arriti të fitonte me rezultatin e thellë 5-0, ndërsa sulmuesi i Kombëtares tonë arriti të shënonte golin e tretë në minutën e 75. Balaj ka rigjetur formën e tij më të mirë këtë periudhë dhe po zhbllokohet thuajse çdo ndeshje, teksa në 5 miqësore të zhvilluara skuadra e Akhmatit, Bekimi ka mundur të finalizojë 3 herë. Një mesatare tepër pozitive për sulmuesin shkodran, që në këto ndeshje miqësore, ka shënuar më shumë sesa në sezonin e kaluar dhe këtë aktualin nëse marrim për bazë shifrat. /Shqiperia.ch/