Shqipëria ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj Moldavisë, falë golave të Cikalleshit dhe Ramadanit. Të rëndësishme janë tre pikët në këtë grup, për të shpresuar për më tej edhe për një kualifikim të mundshëm.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shpreh për “Supersport” se e kishte humbur besimin gjatë ndeshjes së sotme, për një fitore të kuqezinjve.
“Kisha shumë presion dhe tani jam i kënaqur. Mund të them se edhe e humba besimin. Kjo ishte një detyrë shtëpie për ta fituar. Në letër Shqipëria ishte një ekip më i mirë se Moldavia, megjithëse çdo ndeshje është e vështirë.
Tani ka më shumë besim në ekip për lojtarët. Ne nuk jemi një skuadër e madhe, por me një klimë pozitive mund të bëjmë mirë dhe të arrijmë më lartë. Ne kemi luajtur kundër dy skuadrave që ishin më të dobëta se ne dhe kemi punë më të vështirë përpara”, ka thënë Duka. /Shqiperia.ch/