Thuhet se një formacion fitues nuk mund të gjykohet, asnjëherë, sepse suksesi i justifikon edhe gabimet më të mëdha.
Por ne nuk mund të veprojmë kështu, nëse kërkojmë historinë për të arritur në Europian, atëherë duhet të jemi sa më afër perfeksionit, në mos ta prekim atë. Ardhja e Ergys Kaçes në ekipin Kombëtar, pritet të ndryshojë diçka në formacionin e Shqipërisë ndaj Skocisë.
Mbrojtja nuk mund të lëvizë, pasi ajo e kaloi tërësisht provën e saj. Hysaj, Gjimshiti, Veseli dhe Binaku, pavarësisht me disa gabime që u shfaqën në qendër të saj, janë sërish të konfirmuar.
Ndryshime do të pësojë mesfusha, atje ku Ergys Kaçe pritet t’i marrë vendin Ledian Memushajt. Ky i fundit nuk është në 100% të formës së tij fizike dhe 2 ndeshje me ritme të larta për t’i luajtur brenda pak kohësh, janë vërtet shumë për të.
Basha dhe Xhaka janë sërish të konfirmuar, ashtu si edhe Hyka me Grezdën. I vetmi balotazh ngelet në sulm, atje ku Guri dhe Balaj do të luftojnë për një vend titullari. Sa i përket portës, nëse përpara Izraelit ekzistonte një çështje, tani jo më. /Shqipëria.ch/