Kombëtarja e Kosovës debutoi për herë të parë të kualifikimeve të një Evropiani në muajin mars në stadiumin “Fadil Vokrri” duke barazuar me Bullgarinë 1 me 1. Në mbrëmjen e 25 marsit, “Dardanët” zhvilluan një ndeshje fantastike, ku padyshim që merituan edhe fitoren por fati nuk ishte ne anën e tyre. Kundër Bullgarisë, Kosova kishte në formacion startues të gjitha lojtarët kryesor, pra nuk kishte asnjë mungesë.
E njëjta situatë nuk do të jetë në Podgoricë të premten dhe në Sofje të hënën. Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha janë futbollistët që zyrtarisht do t’i mungojnë Kombëtares së Kosovës për këto dy ndeshje tejet të rëndësishme.
Mungesa e tre mesfushorëve të sipërpërmendur shihet të jetë një handikap i madh për “dardanët”.
Valon Berisha që një kohë të gjatë është jashtë fushave të gjelbra. Berisha po vazhdon të rikuperohet pasi ishte lënduar në stërvitje te Lazio.
Lëndim më të rëndë kishte pësuar Hekuran Kryeziu, i cili u lëndua në Zurich, dhe vështirë se do të kthehet edhe në ndeshjet tjera kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Disa ditë para grumbullimit u lëndua edhe mesfushori tjetër, Herolind Shala në Norvegji, madje Shala kishte deklaruar se iu ishin mbushur sytë me lot që nuk do të mund t’i ndihmoj Kosovës por 27-të vjeçari beson te shokët se do të marrim rezultate positive.
“Dardanët” do të kenë mungesa në mesfushë, por për fat të mirë sulmi është në top formë. Treshja sulmuese, Zeneli – Muriqi – Rashica kanë qenë të jashtëzakonshëm me skuadrat e tyre.
Ata së bashku këtë sezon kanë shënuar hiq më pak se 36 gola. Vedat Muriqi ka shkëlqyer te Rizespor në Turqi duke shënuar 17 gola, Rashica me Werderin ka realizuar 12 gola ndërsa Arbër Zeneli ka arritur të shënoi 7 gola, 3 me Reims dhe 4 me Herennven.
Pra, “dardanët” përkundër mungesave do të kërkojnë patjetër pikë në “Podgorica City Stadium”. Kujtojmë që Kosova humbjen e fundit e ka pësuar nga Islanda më 9 tetor të vitit 2017 në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës ‘Rusia 2018’.
E për këto suksese merita të mëdha ka trajneri Bernard Challandes. Zicerani ka bërë një punë fantastike që nga dita kur iu është bashkuar kombëtares së Kosovës. Dhe kështu, ka regjistruar në mentalitetin e qdo futbollisti te Kosova se me punë mund të arrihet shumëçka.
Për takimin shumë të rëndësishem të së premtes, jo vetëm Kosova do të ketë mungesa.
Probleme do të ketë edhe tek Kombëtarja e Malit të Zi që nuk do të jetë e kompletuar për përballjen me Kosovën në kuadër të eliminatoreve të Euro 2020. Ky takim do të luhet pa praninë e publikut shkaku i ndëshkimit nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s për thirrje raciste dhe abuzim me lojtarët kundërshtar. Megjithatë, kjo nuk është e tëra e ‘zezë’ për malazezët, pasi ata do të duhet të luajnë ndaj Kosovës pa dy sulmuesit e tyre.
Ylli i njohur, Stevan Jovetic ka kryer një operim në këmbë dhe do të mungojë deri në muajin nëntor. Mungesa e dytë do të jetë Luke Gjorgjevic, i cili ka lënduar muskulin e këmbës dhe do të jetë katër muaj jashtë fushave të blerta. Këta dy futbollistë do t’i mungojnë Malit të Zi edhe ndaj Çekisë disa ditë më vonë.
Kështu që më shumë mundësi, kundër Kosovës, kapiten i Malit të Zi do të jetë Fatos Beqiraj. Ish futbollisti i Besës së Pejës që të premten ndaj Kosovës do ta shënojë paraqitjen e 62-të për Malin e Zi. 31-vjeçari do të bëhet futbollisti me më së shumti paraqitje në radhët e malazezëve.
Për ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë, te Kosova kanë ardhur gjithashtu edhe disa emra të rinj. Ibrahim Dresheviq apo Dreshaj është shqiptar i Malit të Zi, i lindur në Suedi i cili luan si qendërmbrojtës dhe është vetëm 22 vjeç, pastaj edhe Ylldren Ibrahimaj i cili ka lindur në Arendal të Norvegjisë.
Karrierën e ka nisur te akademia IK Grane për ta kaluar më pas Arendal në futbollin profesionist. Ibrahimaj aktualisht është pjesë e ekipit Viking që bën gara në Divisionin e Parë në Norvegji.
Në 14 ndeshjet e fundit ka realizuar katër gola. Gjithashtu te Kosova pas tri vite është grumbulluar edhe Anel Rashkaj, i cili ishte kapteni i pari i Kosovës pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Rashkaj është thirrur nga Bernard Challandes që të mbuloi mungesat e mëdha në mesfushë.
Te Kosova spikat gjithashtu edhe ardhja e mbrojtësit të Huddersfield Town, Florent Hadërgjonajt që vendosi përfundimisht ti thotë “PO” Kosovës. Ardhja e Hadërgjonajt pritet ti sjell Kosovës kualitet të shtuar pasi Florenti ka luajtur 2 sezone në eliten e futbollit anglez. Përballja me Malin e Zi duke i parë mungesat do të jetë një mundësi e mirë për lojtarët e rinj që kanë ardhur tek Kosova, të cilët kanë rastin të dëshmojnë talentin e tyre në këto dy ndeshje jashtëzakonisht shumë të rëndësishme.
Gjatë tërë javës sa Kosova stërviti në “Fadil Vokrri” para ndeshjes me Malin e Zi, në kampin “dardan” ka qenë një lloj optimizmi dhe bindje se nga këto dy takime do të tregojnë futboll të mirë dhe nuk do të ndryshojnë taktik të lojës pamvarësisht mungesave në skuadër, e natyrisht kjo fal edhe një strategu si Bernard Challandes, i cili tek djelmoshat ka sjell një frymë ku në çdo ndeshje duhet të hyrë vetëm për fitore. Trajneri zviceran padyshim është edhe njëri nga më meritorët pse të gjithë kundërshtarët ia kanë frikën një Kosove që nuk e di se çfarë është humbja tash e dy vite. Analizë për “Shqiperia.ch” nga: Ndrec Gjonaj, gazetar i RTV Dukagjini në Kosovë.