Shkëndija e Tetovës la një shije të hedhur te tifozët shqiptarë pas ndeshjeve të zhvilluara në Europë, atje ku nuk arriti të kalonte asnjë tur të vetëm. Shumë larg shkëlqimit të viteve të kaluara ndërsa edhe eliminimi ka ardhur nga ekipe më të dobëta në nivel.
Fillimisht largohej nga “Champions League” pas humbjes ndaj modestëve të Kalju, për të vazhduar historinë edhe me Dudelangen në “Europa League”. Prania e Lorik Canës në stadium për të parë më nga afër skuadrën shqiptare, ka shtyrë portalin “Shqipmedia” për të hedhur edhe një hipotezë që e dërgonte Lorik Canën në një post drejtues te Shkëndija, si drejtor sportiv.
Por kapiteni legjendar i Kombëtares e mohon një gjë të tillë, të paktën për momentin. Në një prononcim të shkurtër për “In7”, Cana është shprehur: “Do ta mbështes Shkëndijën me çdo forcë. Jam tifoz i zjarrtë i saj. Por vetëm kaq për momentin”, ka thënë Cana. /Shqiperia.ch/