Milot Rashica është kthyer edhe njëherë për të komentuar vendimin për largimin nga Shqipëria. Sulmuesi që ka luajtur me Werderin dhe tashmë është në kërkim të një aventure të re, e ka cilësuar zgjedhjen për të ikur te Kosova si më të mirën e karrierës. Kjo pasi sipas tij e kishte borxh një kalim të tillë pasi është rritur dhe lindur në Kosovë. Në një intervistë për “Ora Verore” në “Ora News”, Rashica ka bërë edhe rrëfimin.
“Vendimi për t’iu bashkuar Kosovës nuk ka qenë një vendim kundër Shqipërisë. Ka qenë një vendim për të ndihmuar Kosovën pasi ka qenë në hapat e parë të saj të formimit dhe ka pasur një nevojë të madhe. Unë jam lindur dhe jam rritur në Kosovë dhe në njëfarë mënyre ja kam pasur borxh asaj për të luajtur për të. Nëse nuk do të kthehesha unë aty, kush do ta bënte. Është një prej vendimeve më të mira që unë kam marrë deri më tani në karrierën time dhe shpresoj të vazhdojë e tillë”, u shpreh Rashica. Ky i fundit zgjodhi që të linte Shqipërinë pasi nuk u përfshi në listën e lojtarëve të grumbulluar në Europian nga ana e De Biazit.