Armando Sadiku është “ndezur” dhe po kthehet në një makineri golash te Malaga, ashtu siç jemi mësuar që ta shohim këtë sulmues. Megjithatë në Spanjë hasi shumë vështirësi me Levanten ku është penalizuar edhe nga dëmtimet.
Huazimi te Malaga rezultoi si gjetja më e mirë për vetë ekipin që zotëron kartonin e tij dhe futbollistin. Tashmë Levante ka interesimin e disa skuadrave për të siguruar shërbimet e Armando Sadikut. Në Greqi raportohet se Arisi ka nisur negociatat me Levanten, duke e tentuar me një huazim me të drejtë blerje.
Faktikisht një histori e tillë daton që në verën e viti të shkuar, por drejtuesit e Aris do të zgjidhnin një tjetër sulmues për të nënshkruar. Këtë herë Sadiku është zgjedhje e parë për ekipin grek, megjithëse shihet si një hap mbrapa për karrierën e lojtarit. Aris i jep mundësinë vetëm për të luajtur në kualifikueset e Europa League, ndërsa edhe historia e mëparshme e Mërgim Mavrajt nuk është aspak e bukur për nënshkrimin e një tjetër lojtari shqiptar. Në një kohë që pritet kalimi i Sadikut në elitën e futbollit spanjoll ose në Seria A, kjo zgjedhje mund të konsiderohet si jo e duhura për të. /Sport Ekspres/